Akademia e Shkencave

HISTORIKU

Më 10 Tetor 1972 me dekret të Presidiumit të Kuventit Popullor u vendos krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt më 25 Janar 1973. Prof. Aleks Buda u zgjodh Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Deri në fund të viteve '80 ndaj veprimtarisë shkencore ndikuan një varg kufizimesh të karakterit jashtëshkencor, kryesisht të natyrës politike e ideologjike. Ato cënonin, sidomos fushën e shkencave shoqërore, kërkimet akademike, impononin gjykime aprioristike, bëheshin pengesë për vlerësime objektive të disa arritjeve shkencore bashkëkohore e për zbatimin e tyre. Lidhjet ndërkombëtare të shkencëtarëve shqiptarë, pjesëmarrja në veprimtari ndërkombëtare, shkëmbimet shkencore dhe akademike, ndonëse nuk mungonin, ishin mjaft të kufizuara si pasojë e izolimit të vendit dhe e klimës politike.

Studimet shkencore të kryera nga Institutet e Akademisë së Shkencave kanë zgjidhur një varg problemesh të rëndësishme të lidhura me njohjen e historisë, gjuhës e kulturës së popullit shqiptar, me njohjen e natyrës e të pasurive natyrore të vendit, me futjen dhe përdorimin e metodave e të teknologjive të përparuara në prodhimin industrial e bujqësor, me përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit e të shëndetit të popullsisë etj.

Janë botuar një varg veprash shkencore themelore si "Fjalori i gjuhës së sotme shqipe", "Gramatika e gjuhës shqipe", "Historia e popullit shqiptar", "Historia e letërsisë shqiptare", "Atlasi klimatik i Republikës së Shqipërisë", "Flora e Shqipërisë", "Rajonizimi sizmik i RPSSH", "Harta gjeologjike e Republikës së Shqipërisë", "Gjeografia fizike e Shqipërisë" etj. Nga këto institucione organizohen rregullisht konferenca e takime shkencore për probleme të shkencave të ndryshme, në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, që paraqesin rezultatet e studimeve të kryera.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka marrëdhënie bashkëpunimi me akademi shkencore kombëtare të rajonit si dhe me akademi të tjera të botës. Kështu ajo ka marrëdhënie bashkëpunimi me: Austrinë, Britaninë e Madhe, Bullgarinë, Egjiptin, Italinë, Kinën, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Poloninë, Rumaninë, Rusinë, Slloveninë, Turqinë.

Bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është shumë i ngushtë. Me të realizohen shumë veprimtari dhe studime të përbashkëta. Akademia e Shkencave e Shqipërisë është anëtare e disa organizmave shkencorë ndërkombëtarë si: Federata Evropiane e Akademive Kombëtare të Shkencave (ALLEA); Grupimi Interakademik (IAP); Akademia e Mesdheut; Akademia Evropiane e Arteve, Shkencës dhe Lëndëve Humane; Akademia Botërore për të Drejtat e Njeriut; Qendra e Studimeve të Vendeve të Detit të Zi; Këshilli Ndërakademik për Evropën Juglindore.


Dokumenta